RadioDrijona.de - Këtu buron zëri i Shqipes

Switch to desktop Register Login

Valbona Çoba – Anatomia e një bukurie mesdhetare

Valbona CobaEshte fotomodelja më e famshme shqiptare në periudhën postkomuniste. Mbi supe ka një pjesë të historisë së modeleve shqiptare. Mban me vete shumë nga ëndrrat e femrave shqiptare. Gjatë jetës së saj ka takuar shumë njerëz. Ka shkelur mbi shumë pasarela, është veshur “firmato” nga stilistë të mëdhenj dhe ka reklamuar produkte nga më të ndryshmet. Është ndriçuar nga prozhektorët, është vënë para kamerave, ka ndryshuar ngjyrën e flokëve mjaft herë, rrobat në trup, vendet ku ka jetuar dhe ja ku është. Po ajo Valbona që shumë vite më pare çuditi shqiptarët me bukurinë dhe sharmin e saj.

Është vetëm ajo, Valbona Çoba. Missi më i suksesshëm shqiptar, ajo që i dha kuptim një konkurimi të tillë duke treguar se pas një konkursi të bukurie mund të bësh shumë e më shumë se vetëm aq. Mund të hapësh një karrierë të re. E suksesshme në fushën e modës, akoma e pasigurtë në fushën e kinemasë, megjithatë ajo është aty. “Eksporti” më i mirë shqiptar. Vajza që e duam të gjithë.

Shpesh ka patur një ndalesë shumë të shkurtër në Shqipëri, por kësaj here ka një motiv më shumë.Realizim e ndjenjës së dashurisë së saj në martesë. Mban një palë pantallona xhinsi, këpucë trendy të kuqe dhe një pulovër të lehtë ngjyrë manushaqe. Nuk ka tualet dhe flokët i ka prerë shumë shkurt për here të parë. Vitet kanë lënë pas pamjen e një vajze fare të re dhe kanë plotësuar bukurinë e pjekur të një femre mesdhetare.

Ka marrë me vete një album të plotë fotografish të punëve më të fundit dhe ndihet e sigurt kur flet për profesionin e saj të parë, atë që i dha emrin dhe shpërblimin në para, profesionin e modeles. Nga mënyra se si flet kuptohet se e njeh mirë këtë profesion.

Megjithatë sytë e saj marrin një dritë tjetër sapo nis e flet për kinemanë, ëndrrën e kahershme të vajzës që rastësisht u bë modele, kur gjithmonë dëshironte të bëhej aktore e famshme dhe të luante nëpër filma.

Modele rastësisht

“Nëse do më falni bukurinë që kam, unë atë do t’ia dhuroj kinematografisë”. Kështu qe shprehur bukuroshja Valbona Çoba, përpara publikut dhe jurisë, ndërsa ishte vetëm 16 vjeç dhe me guxim konkurronte në missin e parë shqiptar. “Mami më gënjeu atëherë, më tha të shkoja se do shoqëronim motrën dhe kushërirën time të cilat do të konkuronin për miss, kur në fakt Vera Grabocka më përzgjodhi mua. Atëherë as që e mendoja se ky konkurs do ndryshonte jetën time. Isha mjaft e re dhe nuk mund të parashikoja atëherë se çfarë do të ndodhte”.

Valbona nuk mund ta imagjinonte se pas atij spektakli të parë, për vetë rëndësinë që pati si i pari që theu tabutë e gjysmë lakuriqësisë, do ta priste një jetë pasarelash, prozhektorësh, ambiciesh, xhelozish, betejash, ekranesh, cast-esh, e kopertinash. Ajo do të shndërrohej në një yll, veçse ylli saj do të ndrinte larg vendit të saj.

Të gjithë e kemi dëgjuar për famën greke të Valbona Çobës, por pak e dinë se menjëherë pas Miss Albania-s së parë, në vitin 1992, ku u shpall edhe si Miss Fotozhenia, u ftua në spektaklin e Giani Boncompagni, regjisor i njohur i Canale 5 për të marrë pjesë në “Non e’ la RAI”. Frika për të panjohurën dhe mosha e re bënë që Valbona të nguronte, të humbiste këtë mundësi dhe pas një viti të nisej sërish drejt Italisë, kësaj radhe e shoqëruar nga motra për të nisur atë karrierë që kurrsesi nuk mund ta kishte në vendin e saj. Puna e parë serioze e Valbonës ishte të reklamonte rrobat në një emision mëngjesi në Canale 5 e më tej me agjencinë e modës të shëtiste nga njëri qytet në tjetrin, ku të gjithë nisën ta identifikojnë si “vajza shqiptare me sytë e bukur”.

Por nëse Italia e priti si “vajza shqiptare me sytë e bukur”, Greqi ndonëse i dha rolin e primadonës së ekranit dhe kopertinave të revistave, nuk mundi t’ia falte Valbonës “kombësinë” shqiptare. Sigurisht që ajo nuk kishte ndërruar as emrin dhe as fenë. Madje kishte nga ata që mendonin se “Valona” ishte emri i artit. Përherë, emisioni ku shumë shpejt u bë protagoniste, niste me fytyrën e saj dhe kjo gjë krijonte jo pak probleme me vajzat. “Pse shqiptarja në plan të parë, ishte pyetja turbulluese që i bënin ato vetes dhe, përse nuk flet greqisht?” U deshën të kalonin tre muaj të vështirë derisa mësoi të flasë greqisht dhe që atëherë u shndërrua në ikonën e pazëvendësueshme të ekranit. Këndonte, kërcente, recitonte, komunikonte në telefon me publikun.

Fytyra e saj u bë shumë e njohur, dilte çdo ditë në televizion nga dy orë, ndërsa nisi të mendonte për një menaxhim më të mirë të suksesit. “Për mua në Greqi nuk kishte një kulm suksesi, kishte shumë të tillë. Çdo dalje në ekran, çdo kontratë ku hidhja firmën”. Në vitin 1997 fiton “Miss trupi më i bukur në Greqi” ndaj vëmendja ndaj saj shtohet edhe më. Madje menjëherë pas kësaj, publikohet një foto paparazzi, ku ajo me ca miq dëfrehet në një Buzuk, ndërsa diçitura poshtë fotografisë shkruan “Kjo është Valbona që e kemi parë dhe që e duam shumë”.

Kamerat dhe aparatet e profesionistëve e donin aq shumë sa bënë ta duan edhe grekët. “Të bëhesh e famshme në një fushë rivalesh si modelingu apo filmi është vërtet bukur. Por të bëhesh e famshme në këtë fushë në një vend të huaj është vërtet e merituar”, shprehet ajo. “Në Greqi unë bëra të njohur vajzën shqiptare për bukurinë dhe klasin e saj. Duke njohur luftën që bëhet atje kundër shqiptarëve nuk mund të më shkonte në mendje se mund të shihja nëpër kinkaleri, revista me kopertinën e vajzës “Alvaneza”, apo postera nëpër mure apo autobuza. “Shqiptarja po bën Greqinë të dridhet si nga një tërmet”, shkruante media greke.

Kështu nisi të pushtojë kopertinat. Fotografia e saj gjendej kudo, tek “Bazar”, “Elle”, “Down Town”, etj. Më pas nisin rolet e para nëpër filma, por ku asnjëherë, pavarësisht famës, nuk do të kishte rol kryesor. Valbona ishte shqiptare. Një shqiptare mund të ishte modelja më e njohur, por jo heroina e një filmi stampuar mbi celuloid!

Go to west!

Pasi në vitin 1999 provoi të hapte në Shqipëri një agjenci mode, dhe kuptoi se kjo ishte veç një përpjekje e dëshpëruar, niset drejt Amerikës me një kontratë në dorë dhe synon menjëherë tek WILHEMINA, një agjenci e madhe mode në New York. Në sajë të një kontrate tre vjeçare arrin të marrë “Green Cart” dhe që atëherë jeta e saj ka ndryshuar shumë.

“Arrita që në konkurset e para të pozoj për revista të njohura dhe të fitoj reklama për firma me famë. Shija njujorkeze nuk më refuzoi, ndërsa ka refuzuar mjaft modele të njohura nga Europa. Të arrish të bëhesh vajza e kopertinave dhe posterave do të thotë që ke lënë prapa mijëra modele të tjera të cilat mbyllin karrierën pa prekur kopertinën. Të gjitha këto nuk arrihen sikur bukuria fizike të mos jetë plotësuar me aq seriozitet, pasion, talent, personalitet dhe kulturë. Por modelja është diçka fare e rastësishme. Sigurisht, vazhdoj ta bëj edhe në Amerikë, por gjithmonë me mendimin që shumë shpejt do të gjej veten aty ku ndodhet ëndrra ime, tek filmi”.

“Prandaj edhe jam shpërngulur, nga New York-u i modës tek Los Angelos-i i filmit. “Duke qenë se në Los Angelos ka shumë bionde, mendoj se brunet kërkohen më tepër, pasi janë më të pakta në numër dhe pëlqehen shumë. Këtu është edhe Hollywood-i dhe unë ëndërroj që një ditë të jem atje. Los Angelos është vendi ku mendoj të përmbush ëndrrën time”.

Ndërsa për botën e modës flet me kompetencë dhe kuptohet se është një fushë të cilën e njeh mirë, kur bëhej fjalë për filmin, Valbona duket se prek një temë delikate, një pikë të saj të dobët dhe gati një peng që mban mbyllur vetes. Megjithëse ka interpretuar në disa seriale televizive dhe filma të mirëfilltë, rolet kanë qenë të vogla dhe nuk ka mundur të jetë protagoniste. Interpretimet në “Qiunding Light”, “Jo so Nihaal!”, apo “Hitch”, renditen në Cv e saj profesionale por nuk mjafton për Valbonën.

Ajo dëshiron të prekë vërtet Hollywood-in, ajo nuk e pranon humbjen. Nëse vrapon për të bërë sa më shumë kinoprova kupton se problemi mbetet po ai: anglishtja e folur. Merr vazhdimisht mësime të gjuhës për të përmirësuar shqiptimin. Sepse kjo vajzë nuk dorëzohet. Nuk mohon edhe se ka momente kur mendon se mbase është më mirë t’i lërë pas të gjitha, por menjëherë kupton se nuk dëshiron të tërhiqet, nuk mund të tërhiqet.

Se për të gara nuk mbaron kurrë. Nga një botë e egër si ajo e modës, gara bëhet edhe më e vështirë tek filmi. Në fakt gjatë këtyre kohëve ka kuptuar se si funksion bota e kinemasë. Ka kuptuar se vetëm përmes lidhjeve të forta dhe mbështetjes së emrave të mëdhenj mund të ketë një rol të mirë.

“Në botën e kinemasë ka shumë hipokrizi thotë Valbona. Pas një filmi njerëzit japin urime sikur janë mrekulluar prej tij, e sapo kthen shpinën thonë krejt të kundërtën. Nuk mund të bëhem pjesë e kësaj hipokrizie. Në ambiente të tilla më quajnë “arrogante” pasi nuk mund të komplimentoj diçka që s’e ndiej, ndryshe nga çka që s’e ndiej, ndryshe nga ç’bëjnë shumica e tyre. Nuk bëj asnjë lloj kompromisi pavarësisht se kush është ai që kam përballë në tavolinë, ndërsa flitet për një projekt filmi dhe pavarësisht faktit se shpërblimi mund të jetë një rol i mirë në film. E di se kjo është e vështirë, por ja që kjo jam”, thotë Valbona.

Kapriçot e modeleve

Në botën e modeleve në Amerikë ka një përkufizim: “Mos u bëj si Naomi se Naomi nuk e përmban veten”, tregon ajo. Pasi ka mbushur 17 vjet si modele tashmë Valbona e di se sa e vështirë është të jesh dikush në këtë betejë bukuroshesh dhe se duhet shumë kurajo, sidomos për të përmbajtur veten.

“Kur nisa konkurset e para 16 vjeç nuk e dija se sa e vështirë është të jesh modele. Të jesh modele do të thotë gjithmonë të jesh në konkurrencë me të tjerët, me më të rejat, me shoqet e tua. Të kesh në çdo moment kujdes për peshën, format, të krijosh personalitetin tënd dhe të jesh serioze në punë. E gjitha kjo është shumë e vështirë. Në një agjenci mode janë të regjistruar me qindra vajza dhe ti duhet të konkurosh me secilën dhe të dalësh e para”.

Është fotografi ai që përzgjedh dhe duhet ti biesh atij në sy. Nga njëra agjenci në tjetrën, nga njëra punë në tjetrën ndryshojnë njerëzit, ndërsa puna ngelet po ajo. Konkurencë me vajza krejt të panjohura që vijnë të provojnë një sfidë, por edhe me yje të modës si Laetizia Casta dhe Claudia Schiffer, me të cilat Valbona ka sfiluar në të njëjtën pasarelë.

Nëse ka një gjë që nuk i ka plëqyer kurrë ta bëjë, ndryshe nga modelet e tjera, ka qenë refuzimi i kërkesave të vazhdueshme për t’u zhveshur e pozuar nudo. Kjo kërkesë nuk e ka joshur edhe kur i janë propozuar shuma të mëdha, apo kur i ka ardhur nga agjenci të rëndësishme. “S’e kam ndier kurrë të nevojshme të pozoj nudo. Gjithmonë kam menduar se duhet të mbaj diçka për veten. Megjithëse kam qenë ndër modelet më të paguara, kurrë s’kam pranuar të zhvishem nudo. E shumta kam pozuar vetëm me të brendshme”.

  • Valbona Çoba
  • Ditëlindja: 3 maj 1975
  • Vendlindja: Tiranë
  • Horoskopi: Demi
  • Gjatësia: 174
  • Sytë: jeshil
  • Hobi: arti

Revista Shqip

Share on Facebook

© RadioDrijona.de - Këtu buron zëri i Shqipes 24/7 / 2009 - 2013

Top Desktop version

Open source productions